U zhvillua sot takimi përmbyllës i fazës së parë të projektit të bashkëpunimit të AKCESK dhe Software Engineering Institute (SEI), me fokus ngritjen e Qendrës Kombëtare dhe sektoriale të monitorimit të incidenteve kibernetike.Nën drejtimin e kreut të AKCESK Z. Igli Tafa, përfaqësuesit e SEI realizuan takime konsultuese me stafet përgjegjëse të operatorëve të infrastrukturave kritike të informacionit, si sektorin qeveritar, energjitik, financiar dhe Policinë e Shtetit, me qëllim identifikimin e pikave të forta, dobësive, mundësive dhe kërcënimeve në secilin sektor, në terma të sigurisë kibernetike në infrastrukturat kritike të informacionit.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKCESK, u shpreh se: “Përmbushja e vizionit të ri strategjik të Autoritetit kërkon jo vetëm zbatimin e teknologjive të avancuara, por edhe bashkëpunimin e të gjithë sektorëve me qëllim ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm e të sigurt kibernetik në nivel kombëtar. Ne e dimë se këtë nuk mund ta arrijmë të vetëm! Për këtë qëllim, AKCESK, në përmbushje të detyrave funksionale, po punon ngushtësisht me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, për të nxitur komunikime më të sigurta dhe për të ndarë informacionin mbi kërcënimet kibernetike në kohë reale.
Së bashku, mund të ndërtojmë një mjedis digjital më të sigurt për vendin tonë!