Rritja e ndërgjegjësimit dhe përfshirja e çdo grupi të shoqërisë në edukimin për sigurinë digjitale janë pjesë e angazhimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Përgjatë kësaj jave, AKSK zhvilloi takime në Tiranë me përfaqësues të komunitetit rom, të moshuar, persona me aftësi të kufizuara, fëmijë me autizëm dhe sindromën Down të shoqëruar nga prindërit, si dhe gra e vajza që përfitojnë mbështetje sociale.
Përmes këtyre takimeve, AKSK synon t’i ndihmojë qytetarët të dallojnë mashtrimet online, të mbrojnë të dhënat personale dhe të dinë si të veprojnë kur përballen me situata të dyshimta. Informimi i kuptueshëm dhe pranë nevojave të komuniteteve është thelbësor për parandalimin e rreziqeve dhe për një përdorim më të sigurt të teknologjisë në përditshmëri.
Takimet u zhvilluan në bashkëpunim me qendrat komunitare Shkozë, “Gonxhe Bojaxhi” dhe “Të qëndrojmë së bashku”, Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA), Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale të Bashkisë Tiranë dhe Qendrën Xhonatan. Këto partneritete mbështesin përpjekjet e AKSK-së për ta shtrirë edukimin mbi sigurinë kibernetike te sa më shumë qytetarë.

