Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Të Reja

Shqipëria model rajonal në sigurinë kibernetike

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, përfaqësoi Shqipërinë në panelin “Strengthening Security: Cyber-Resilience and Defence in Critical Sectors”, në ImpactSEE Conference, në Bukuresht, Rumani, ku prezantoi qasjen shqiptare për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në sektorët kritikë.

Në fjalën e tij, z. Kazia theksoi se siguria kibernetike është çështje e sigurisë kombëtare. Një sulm ndaj energjisë, shëndetësisë, telekomunikacionit apo financave prek drejtpërdrejt qytetarët, ekonominë dhe funksionimin e shtetit. Mbrojtja e këtyre sektorëve kërkon parandalim, reagim të koordinuar dhe aftësi për të rikthyer shpejt shërbimet pas një incidenti.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi në kohë reale i informacionit mbi kërcënimet ishin dy prej prioriteteve të theksuara në panel, krahas nevojës për kapacitete të specializuara në çdo sektor kritik.

Në këtë drejtim, u prezantua modeli shqiptar i CSIRT-eve sektoriale, ngritja e të cilave sipas qasjes së re nis në ditët në vijim. Këto struktura do të mundësojnë reagim të specializuar ndaj incidenteve, në përputhje me rreziqet dhe nevojat e secilit sektor.

Modeli ka tërhequr interesin e shteteve të tjera, disa prej të cilave kanë kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për ta njohur dhe zbatuar. Përmes kësaj përvoje, Shqipëria po zgjeron kontributin e saj në sigurinë kibernetike rajonale, duke ndarë ekspertizën dhe praktikat e zhvilluara në nivel kombëtar.

 

Shpërndaj Postimin