Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi aktivitetin përmbyllës ndërgjegjësues për këtë vit shkollor me fëmijët e shkollës “Vatra e Dijes” në Tiranë, duke mbyllur një seri aktivitetesh të dedikuara për sigurinë online dhe edukimin digjital të fëmijëve dhe të rinjve.
Përmes bashkëbisedimeve dhe diskutimeve interaktive, fëmijët u njohën me rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale, përdorimit të sigurt të internetit dhe mënyrave për të identifikuar dhe shmangur rreziqet online.
Gjatë vitit shkollor 2025–2026 janë zhvilluar gjithsej 39 aktivitete ndërgjegjësuese në disa zona të Shqipërisë, duke përfshirë 36 sesione ndërgjegjësimi, 1 webinar, 1 trajnim për Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe 1 tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
Në total, 1,675 fëmijë dhe pjesëmarrës janë bërë pjesë e këtyre aktiviteteve, të cilat synojnë forcimin e kulturës së sigurisë digjitale dhe krijimin e një mjedisi online më të sigurt për brezat e rinj.
Këto aktivitete janë zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën digjitale.
