Miratohet ligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”

Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 7 maj 2026 ligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, pas përfundimit të shqyrtimit në komisionet parlamentare përkatëse gjatë datave 4–5 maj.

Ky ligj, i përafruar plotësisht me rregulloret e Bashkimit Evropian eIDAS1 dhe eIDAS2, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe besueshmërisë së shërbimeve digjitale në Shqipëri, si dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Me hyrjen në fuqi të tij, hapet rruga për implementimin e politikave më të reja të Bashkimit Evropian në fushën e identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara.

Një nga risitë kryesore të ligjit është krijimi i Portofolit të Identitetit Digjital, një mjet identifikimi elektronik që do të ofrohet pa pagesë për qytetarët. Për herë të parë, në kuadrin ligjor shqiptar parashikohet një mjet identifikimi elektronik i sigurt, praktik dhe gjithëpërfshirës, i cili u mundëson përdoruesve të ruajnë, menaxhojnë dhe vërtetojnë në mënyrë të sigurt të dhënat e identifikimit dhe vërtetimet elektronike të atributeve, si dokumenti i identitetit digjital, leja e drejtimit, diploma, dokumente me vulë elektronike dhe dokumente të tjera elektronike.

Portofoli i Identitetit Digjital do t’u mundësojë qytetarëve dhe subjekteve:

  • të ruajnë dhe ndajnë të dhënat e identifikimit dhe vërtetimet elektronike të atributeve, me konfirmimin e përdoruesit;
  • të nënshkruajnë dhe vulosin elektronikisht dokumente përmes pajisjeve të sigurta të integruara në portofol;
  • të kenë akses në loget e të gjitha ndërveprimeve digjitale;
  • të ndërveprojnë edhe në modalitetin offline dhe në nivel ndërkufitar.

Gjithashtu, qytetarët dhe bizneset do të mund të aksesojnë shërbime online me standarde më të larta sigurie dhe besueshmërie, duke përfituar nga një kuadër i ri i identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara. Ligji zgjeron gamën e shërbimeve të besuara, të kualifikuara dhe jo të kualifikuara, si dhe forcon kërkesat e sigurisë për skemat e identifikimit elektronik dhe ofruesit e këtyre shërbimeve.

Në aspektin rregullator dhe mbikëqyrës, ligji forcon kompetencat që lidhen me mbikëqyrjen e portofolave të identitetit digjital, skemave të identifikimit elektronik dhe ofruesve të shërbimeve të besuara, të kualifikuara dhe jo të kualifikuara, duke krijuar një kuadër më të qartë, më të sigurt dhe më të besueshëm për funksionimin e tyre.

Portofoli i Identitetit Digjital pritet të thjeshtojë aksesin në shërbimet publike dhe private online, si dhe të përmirësojë sigurinë dhe fleksibilitetin për qytetarët, institucionet dhe bizneset në përdorimin e shërbimeve dhe transaksioneve digjitale. Njëkohësisht, ai forcon mbrojtjen e të dhënave personale, pasi i jep individit kontroll të plotë mbi të dhënat e tij, nënshkrimin, vulosjen dhe ndarjen e tyre në mënyrë të sigurt dhe të gjurmueshme.

Për qytetarët dhe bizneset, ligji do të thotë akses më i lehtë dhe më i sigurt në shërbime, më pak barriera fizike dhe administrative, më shumë besueshmëri në transaksionet elektronike dhe më shumë mundësi për përdorimin e shërbimeve sipas standardeve evropiane. Për ofruesit e shërbimeve të besuara, ai krijon një kuadër më të qartë rregullator dhe hap rrugën për ofrimin e shërbimeve të reja digjitale.

Për administratën publike dhe shtetin, ligji krijon mundësinë për ofrimin e shërbimeve publike elektronike në mënyrë më efikase, lehtëson procedurat administrative dhe mbështet zhvillimin e ekonomisë digjitale në Shqipëri.

Miratimi i këtij ligji përmbush hapin e parë të Reformës 3.1.1 “Përputhshmëria me rregulloren e Identitetit Digjital dhe zbatimi i e-Portofolit Digjital për shërbimet publike”, të parashikuar në Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027, duke e afruar Shqipërinë më pranë standardeve dhe politikave të Bashkimit Evropian.

Western Balkans Cyber Camp 2026 bashkoi në Shqipëri të rinjtë e sigurisë kibernetike nga i gjithë rajoni