Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) tërheq vëmendjen e qytetarëve mbi rritjen e rasteve të mesazheve mashtruese SMS, të njohura si smishing, të cilat paraqiten si komunikime zyrtare nga institucione publike, banka apo kompani shërbimesh.
Këto mesazhe synojnë të manipulojnë përdoruesit përmes krijimit të ndjenjës së urgjencës, panikut apo besimit të rremë, duke i drejtuar ata drejt faqeve të falsifikuara, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare.
Për të shmangur rënien pre e këtyre mashtrimeve, AKSK rekomandon qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin këto këshilla:
Mos klikoni linqe të dyshimta
Mos hapni linqe të dërguara përmes SMS, email-it apo rrjeteve sociale nga burime të panjohura ose të pakonfirmuara.
Mos ndani të dhëna sensitive
Asnjë institucion legjitim nuk kërkon përmes SMS të dhëna si:
- Numrin e kartës bankare;
- CVV / PIN;
- OTP ose kode verifikimi;
- Fjalëkalime apo të dhëna të tjera personale.
Verifikoni adresën e faqes
Kujdes nga domain-et e rreme që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve apo kompanive. Para se të vendosni të dhëna, kontrolloni me kujdes adresën e faqes dhe sigurohuni që komunikimi vjen nga burime zyrtare.
Kujdes nga mesazhet urgjente
Formulime të tilla si “Keni një pagesë të papaguar”, “Llogaria juaj do të bllokohet” apo “Veproni menjëherë” përdoren shpesh për të nxitur reagim të shpejtë dhe për të mashtruar përdoruesit.
Shenjat kryesore të smishing
Mesazhet mashtruese shpesh dallohen nga disa elemente të përbashkëta, si:
- Mesazhe të papritura nga numra të panjohur;
- Linqe të pazakonta ose të shkurtuara;
- Kërkesa për pagesa urgjente;
- Kërkesa për të dhëna personale apo bankare;
- Gabime drejtshkrimore ose formulime jo profesionale.
Nëse keni klikuar një link të dyshimtë
Në rast se keni hapur një link të dyshimtë, rekomandohet të veproni menjëherë:
- Mos plotësoni asnjë të dhënë personale apo financiare;
- Mbyllni menjëherë faqen;
- Ndryshoni fjalëkalimet e llogarive tuaja;
- Kontaktoni institucionin, bankën apo kompaninë përkatëse për verifikim;
- Raportoni rastin pranë kanaleve zyrtare.
AKSK u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo komunikimi të dyshimtë dhe të mos veprojnë me nxitim përpara se të verifikojnë burimin e mesazhit.
Raportoni çdo rast të dyshimtë. Tregohuni të kujdesshëm!