Në kuadër të zhvillimeve të fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe rritjes së rrezikut për aktivitete kibernetike ndaj Shqipërisë, si dhe pas raportimit gjatë ditës së sotme të një sulmi kibernetik që lidhet me postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend, me fokus rritjen e vigjilencës dhe forcimin e masave mbrojtëse.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm në detyrë i AKSK, Saimir Kapllani, theksoi se është thelbësore rritja e vigjilencës dhe e gatishmërisë institucionale. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe raportimit në kohë të çdo rasti të dyshimtë, duke theksuar se AKSK mbetet në mbështetje të vazhdueshme të operatorëve përmes koordinimit, analizës së kërcënimeve dhe ndarjes së informacionit dhe ekspertizës teknike.
Gjatë takimeve u theksua rëndësia e monitorimit të vazhdueshëm të sistemeve dhe rrjeteve, kontrollit të çdo aktiviteti të dyshimtë dhe reagimit të menjëhershëm ndaj çdo alerti të mundshëm. Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike lidhur me rastin e sulmit kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë, ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë.
