Studentë të Teknologjisë së Informacionit nga Universiteti Europian i Tiranës (UET) zhvilluan një vizitë studimore në ambientet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ku u njohën nga afër me rolin dhe funksionet e institucionit në mbrojtjen e hapësirës digjitale në vend.
Gjatë vizitës, stafi i AKSK prezantoi strukturat kryesore të Autoritetit, përgjegjësitë institucionale në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe punën që zhvillohet për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Studentët patën gjithashtu mundësinë të njihen nga afër me Laboratorin e Sigurisë Kibernetike, ku u prezantuan kapacitetet teknike dhe mjediset praktike të përdorura për analizë, testim dhe zhvillim aftësish në këtë fushë.
Vizita të tilla janë pjesë e angazhimit të AKSK për të krijuar ura bashkëpunimi me universitetet dhe për të afruar studentët me praktikën në fushën e sigurisë kibernetike, duke kontribuar në zhvillimin dhe mbështetjen e talenteve të rinj, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve kombëtare dhe forcimin e ekosistemit të sigurisë kibernetike në vend.
