Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, z. Igli Tafa, sqaroi se pajisjet DPI (Deep Packet Inspection) nuk përdoren për të realizuar përgjim apo profilizim të qytetarëve, por përdoren për garantimin e një mjedisi digjital më të sigurt për fëmijët.
“Nuk ekziston asnjë mundësi shkencore apo teknologjike që përmes pajisjeve DPI të kryhet përgjim ose të krijohet profilizim i individëve gjatë komunikimeve të tyre,” – theksoi z. Tafa.
Ai shpjegoi se çdo përdorues në internet del me një IP publike që i përket entitetit dhe jo individit, duke përjashtuar kështu mundësinë e identifikimit personal. Po ashtu, theksoi se komunikimet elektronike janë të enkriptuara, përmes çelësave dhe algoritmave simetrike dhe asimetrike, gjë që i bën teknikisht të paarritshme ndërhyrjet apo leximin e përmbajtjes së tyre.
“Çdo interpretim ndryshe është i pabazuar në fakte shkencore. Ky është realiteti teknik që e them si drejtues i institucionit dhe si profesor me mbi 20 vite eksperiencë në këtë fushë,” – u shpreh Tafa, duke shtuar se një pjesë e debatit publik shpesh krijon keqinformim dhe konfuzion te qytetarët.
Në vijim, z. Tafa theksoi se pajisjet DPI janë instaluar për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve nga platformat dhe përmbajtjet e rrezikshme dhe nuk përfshijnë asnjë mekanizëm që cenon privatësinë e individëve.
