Ballkani Perëndimor bashkohet në Tiranë për dialogun rajonal mbi sigurinë kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Hollandës, në bashkëpunim me Observer Research Foundation America dhe Albania Sustainable Development Organization, organizuan në Tiranë një dialog rajonal mbi politikat e sigurisë kibernetike.

Ky aktivitet mblodhi 50 pjesëmarrës nga qeveria, biznesi dhe shoqëria civile nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Agjenda e takimit trajtoi mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal në mbrojtjen kibernetike, reagimin ndaj incidenteve, diplomacinë kibernetike dhe ngritjen e kapaciteteve.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, u shpreh: “Ende ekziston një hendek i ndjeshëm në fushën e sigurisë kibernetike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sfida të tilla nuk mund të përballohen të vetëm, por vetëm përmes bashkëpunimit dhe ndërtimit të përbashkët të kapaciteteve mund të ecim përpara.”

Ernst Noorman, Ambasador i Posaçëm për Çështjet e Sigurisë Kibernetike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Hollandës, theksoi:
“Siguria kibernetike kërkon përfshirje të shumë aktorëve, nuk është vetëm çështje qeveritare, por përfshin gjithë shoqërinë. Me digjitalizimin që sjell efikasitet, sfidat bëhen gjithnjë e më komplekse. Veprimi i koordinuar dhe besimi i ndërsjellë janë thelbësorë nëse duam të ecim përpara së bashku.”

Ky dialog ndërtohet mbi rezultatet e takimeve të mëparshme të zhvilluara në Tiranë në nëntor 2024 dhe në Shkup, Maqedonia e Veriut, në qershor 2022 dhe shtator 2023.

 

Shpallen fituesit e fazës së parë të Maratonës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike