Në kuadër të ligjit “Për sigurinë kibernetike” dhe pas vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e listës së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka nisur zbatimin e këtij vendimi përmes takimeve me subjektet e përfshira.
Gjatë takimeve të zhvilluara sot, përfaqësuesit e operatorëve u njohën me kuadrin e ri ligjor dhe me rolin e AKSK-së si autoritet mbikëqyrës. U trajtuan çështje që lidhen me detyrimet që burojnë nga përfshirja në listë, përfshirë zbatimin e masave të sigurisë, ngritjen e strukturave të brendshme për menaxhimin e riskut kibernetik dhe procedurat e raportimit të incidenteve.
I pranishëm në këto takime, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, vlerësoi përfshirjen e operatorëve të rinj si një hap thelbësor drejt zgjerimit të mbrojtjes kibernetike në nivel kombëtar dhe theksoi se ndarja e njohurive dhe përvoja e grumbulluar nga Autoriteti ndër vite do të vihet në funksion të operatorëve që i bashkohen këtij sistemi. Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë me çdo subjekt të përfshirë është thelbësor për ndërtimin e një hapësire të sigurt dhe të qëndrueshme digjitale. Ai i cilësoi operatorët e rinj si “ambasadorë të sigurisë kibernetike”, duke nënvizuar rolin e tyre të ri në mbrojtjen e funksioneve kritike që mbështesin jetën institucionale dhe interesin publik.
AKSK do të vijojë të ofrojë mbështetje teknike dhe trajnime të dedikuara për subjektet e përfshira, me qëllim zbatimin efektiv të kërkesave ligjore dhe rritjen e kapaciteteve të brendshme për të përballuar sfidat e vazhdueshme të sigurisë në hapësirën digjitale.