#CyberSec2025Rome: z.Tafa: “Përdorimi i inteligjencës artificiale, informatikës kuantike dhe ekosistemeve të mëdha të rrjetit do të jetë vendimtare për të ardhmen tonë”

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, ishte pjesë e #CyberSec2025Rome organizuar nga Cyber Security Italia, ku ndau sfidat dhe prioritetet e Shqipërisë në mbrojtjen e hapësirës kibernetike, duke vënë theksin te kërcënimet rajonale dhe nevoja për një qasje të përbashkët evropiane.

Në fjalën e tij, z. Tafa analizoi pozicionin strategjik të  Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar përballjen me sulmet kibernetike dhe informative të aktorëve shtetërorë. Për këtë arsye, Qeveria Shqiptare ka intensifikuar investimet në sigurinë kibernetike, duke ndërtuar një sistem mbrojtjeje më të fortë dhe duke forcuar partneritetet ndërkombëtare për të garantuar një infrastrukturë të sigurt digjitale.

“Kuadri ynë i sigurisë kombëtare vihet vazhdimisht në provë nga aktorë që shfrytëzojnë dobësitë e epokës digjitale. Përdorimi i inteligjencës artificiale, informatikës kuantike dhe ekosistemeve të mëdha të rrjetit do të jetë vendimtare për të ardhmen tonë”, u shpreh z. Tafa.

Ai nënvizoi se siguria digjitale nuk është vetëm një domosdoshmëri teknike, por një angazhim strategjik për integritetin kombëtar, stabilitetin ekonomik dhe mbrojtjen e qytetarëve. Për këtë arsye, Shqipëria është e vendosur të shfrytëzojë teknologjitë më të avancuara për të mbrojtur hapësirën e saj kibernetike dhe për të kundërshtuar çdo kërcënim që cënon sigurinë kombëtare.

Pjesëmarrja në CyberSec 2025 Rome është një hap tjetër në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale të Shqipërisë dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt kibernetik në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.
Drejtori i AKSK z. Igli Tafa falënderon homologun e tij Izraelit pas përfundimit të detyrës së tij