Siguria kibernetike gjatë pushimeve verore: këshilla për një udhëtim të sigurt

Gjatë pushimeve verore, telefoni bëhet një nga mjetet më të rëndësishme të udhëtimit: ruajmë në të rezervimet, biletat, dokumentet, fotografitë, përdorim hartat, kryejmë pagesa dhe aksesojmë llogaritë tona personale apo të punës. Pikërisht kjo varësi më e madhe nga pajisjet dhe shërbimet online kërkon më shumë kujdes ndaj sigurisë kibernetike.

Mashtrimet që lidhen me rezervimet dhe ofertat turistike, mesazhet phishing, rrjetet Wi-Fi publike, humbja ose vjedhja e pajisjeve dhe ekspozimi i tepërt i informacionit në rrjetet sociale janë disa nga rreziqet që duhen marrë në konsideratë gjatë udhëtimit.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) rekomandon disa masa të thjeshta për të mbrojtur pajisjet, llogaritë dhe të dhënat tuaja gjatë pushimeve.

Përpara nisjes, përgatitni edhe pajisjet për udhëtim

Përditësoni sistemin operativ dhe aplikacionet në telefon, tablet apo laptop. Përditësimet korrigjojnë dobësi të njohura të sigurisë dhe reduktojnë mundësinë e shfrytëzimit të tyre.

Aktivizoni autentifikimin me shumë faktorë (MFA) në llogaritë kryesore, veçanërisht në email, rrjete sociale dhe shërbime që përmbajnë të dhëna personale ose financiare. Përdorni fjalëkalime të forta dhe unike dhe shmangni përdorimin e të njëjtit fjalëkalim në disa llogari.

Krijoni gjithashtu një kopje rezervë (backup) të fotografive, dokumenteve dhe të dhënave të rëndësishme. Aktivizoni funksionet për lokalizimin, bllokimin ose fshirjen në distancë të pajisjes dhe përdorni PIN, fjalëkalim ose autentifikim biometrik për kyçjen e saj.

Kujdes me rezervimet dhe ofertat turistike online

Një ofertë shumë më e lirë se alternativat e tjera, një faqe që imiton një hotel apo kompani ajrore, ose një mesazh që kërkon pagesë urgjente mund të jetë pjesë e një skeme mashtrimi.

Rezervimet duhet të kryhen përmes faqeve dhe platformave të besueshme. Kontrolloni me kujdes adresën e faqes përpara se të vendosni të dhëna personale apo bankare. Nëse merrni një email ose SMS të papritur që ju kërkon të konfirmoni rezervimin, të përditësoni të dhënat e pagesës apo të klikoni një lidhje, verifikoni kërkesën përmes faqes ose aplikacionit zyrtar.

Mos u bazoni vetëm te pamja profesionale e një faqeje. Faqet mashtruese mund të kopjojnë logot, fotografitë dhe elementet grafike të kompanive të njohura.

Wi-Fi publik nuk do të thotë gjithmonë Wi-Fi i sigurt

Rrjetet publike Wi-Fi në aeroporte, hotele, bare apo ambiente turistike kërkojnë kujdes të veçantë. Persona keqdashës mund të krijojnë rrjete me emra të ngjashëm me rrjetet legjitime për të bindur përdoruesit të lidhen me to.

Përpara lidhjes, verifikoni emrin e saktë të rrjetit me stafin e ambientit. Për veprime sensitive, si përdorimi i shërbimeve bankare, administrimi i llogarive të rëndësishme apo transmetimi i informacionit konfidencial, preferoni internetin celular ose një lidhje tjetër të besueshme.

Çaktivizoni gjithashtu lidhjen automatike me rrjetet Wi-Fi kur nuk ju nevojitet.

Edhe karikimi në vende publike kërkon kujdes

Në aeroporte, stacione dhe ambiente të tjera publike mund të gjenden porta USB për karikimin e telefonit. Kur është e mundur, përdorni karikuesin tuaj të lidhur me një prizë elektrike ose një power bank.

Kjo shmang lidhjen e drejtpërdrejtë të pajisjes me porta USB publike të panjohura ose potencialisht të manipuluara.

Mos ndani më shumë informacion sesa duhet

Fotografitë dhe videot janë pjesë e pushimeve, por publikimi në kohë reale mund të zbulojë më shumë informacion nga sa mendojmë.

Një postim mund të tregojë vendndodhjen tuaj, hotelin ku po qëndroni ose faktin që banesa juaj është bosh. Fotografitë e kartave të imbarkimit, rezervimeve apo dokumenteve të udhëtimit mund të përmbajnë emra të plotë, numra rezervimi, barkode, kode QR ose të dhëna të tjera që nuk duhet të bëhen publike.

Kontrolloni cilësimet e privatësisë dhe mendoni përpara se të ndani vendndodhjen ose dokumente që lidhen me udhëtimin. Kur nuk është e nevojshme, shmangni publikimin e vendndodhjes në kohë reale.

Skanoni kodet QR, por kontrolloni përpara se të vazhdoni

Kodet QR përdoren gjerësisht në restorante, transport, parkingje dhe atraksione turistike. Megjithatë, një kod QR mund t’ju drejtojë edhe në një faqe të rreme.

Përpara se të vendosni kredenciale ose të kryeni një pagesë, kontrolloni adresën që hapet pas skanimit. Nëse kodi duket i mbivendosur me një ngjitëse, i modifikuar ose ju drejton në një adresë të dyshimtë, mos vazhdoni.

Nëse humbni telefonin, veproni menjëherë

Humbja ose vjedhja e një telefoni nuk është vetëm humbje e pajisjes. Telefoni mund të përmbajë email, fotografi, dokumente, aplikacione bankare dhe sesione aktive në shumë llogari.

Nëse pajisja humbet ose vidhet, përdorni funksionin e lokalizimit dhe bllokimit në distancë. Nëse është e nevojshme, ndryshoni fjalëkalimet e llogarive kritike dhe kontaktoni operatorin celular për bllokimin e kartës SIM.

Në rast se pajisja përmban të dhëna apo akses në sisteme të punës, njoftoni menjëherë strukturën përgjegjëse për IT ose sigurinë kibernetike në institucionin apo organizatën tuaj.

Kujdesi digjital duhet të udhëtojë me ju

Pushimet na largojnë përkohësisht nga rutina, por jo nga rreziqet online. Përditësimi i pajisjeve, aktivizimi i MFA-së, verifikimi i mesazheve dhe rezervimeve, përdorimi i kujdesshëm i rrjeteve publike dhe mbrojtja e informacionit që ndajmë janë masa të thjeshta që mund të parandalojnë incidente me pasoja serioze.

Para se të niseni për pushime, kontrolloni jo vetëm dokumentet dhe bagazhet, por edhe sigurinë e pajisjeve dhe llogarive tuaja.

Siguria kibernetike nuk bën pushime.

Shqipëria renditet e para në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026