AKSK dhe organizatat joqeveritare drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse për sigurinë kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një takim konsultues me organizatat joqeveritare, në funksion të prezantimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025–2030 dhe identifikimit të fushave të bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Në takim morën pjesë organizata që veprojnë në fusha të ndryshme, nga mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve, edukimi dhe media, te inovacioni dhe teknologjia, përfshirja sociale dhe mbështetja e grupeve të nën-përfaqësuara, etj., duke krijuar një platformë të hapur dialogu mbi rolin e tyre në forcimin e sigurisë digjitale dhe edukimit kibernetik.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Igli Tafa, theksoi se strategjia e re synon të përfshijë të gjithë shoqërinë në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt digjital, duke vendosur në qendër mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin e grupeve të nën-përfaqësuara, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe mbështetjen e inovacionit. Ai vuri në dukje se OJQ-të mbeten partnerë kyç për zbatimin e shumë prej nismave të planit të veprimit dhe për sjelljen e këtyre ndërhyrjeve më afër komuniteteve dhe qytetarëve.

Pjesëmarrësit paraqitën një sërë sugjerimesh për thellimin e bashkëpunimit, që nga ndërtimi i programeve të përbashkëta të edukimit digjital dhe mbrojtjes së fëmijëve online, deri te përfshirja e OJQ-ve në trajnime, fushata ndërgjegjësimi, mbështetjen e startup-eve dhe zhvillimin e iniciativave që synojnë grupet e nën-përfaqësuara, ndërsa u vlerësua rëndësia e takimeve të tjera pasuese për koordinimin e mëtejshëm të iniciativave të përbashkëta.
AKSK mbetet e angazhuar në forcimin e partneritetit me shoqërinë civile, si pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një ekosistem modern dhe gjithëpërfshirës të sigurisë kibernetike në Shqipëri.

Cyber Security News Bulletin November 2025